Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Federata Irlandeze paralajmëron tifozët para Kosovës: Kujdes me flamujt në Prishtinë

Gazeta10
23 September 2026 - 10:49

Federata Irlandeze e Futbollit ka publikuar një njoftim për tifozët që do të udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së enjtes ndaj Kosovës, duke i cilësuar Prishtinën dhe Kosovën si destinacione të sigurta dhe mikpritëse, por duke dhënë edhe disa këshilla për sjelljen e tyre.

Një ditë para përballjes Kosovë-Irlandë në stadiumin “Fadil Vokrri”, Federata Irlandeze e Futbollit u ka bërë thirrje tifozëve të saj që të tregohen të kujdesshëm gjatë qëndrimit në Prishtinë, veçanërisht në zonat me shumë njerëz.

“Prishtina në përgjithësi konsiderohet qytet i sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë. Si në çdo ngjarje të madhe sportive, tifozët këshillohen të tregohen të kujdesshëm me gjërat e tyre personale në zona me shumë njerëz”, thuhet në njoftimin e federatës irlandeze.

Stërvitjet dhe konferencat për shtyp, itinerari i ditës së sotme para përballjes Kosovë-Irlandë

Një pjesë e veçantë e këshillave u kushtohet flamujve që tifozët irlandezë mund të shfaqin gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Kosovës.

“Flamuri i Kosovës (dhe i vendit motër, Shqipërisë) është shumë i spikatur në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit (aktualë ose të kaluar)”, thuhet më tej në njoftim.

Federata irlandeze ka publikuar këto këshilla në prag të ndeshjes së nesërme, e cila do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 dhe pritet të sjellë në Prishtinë edhe një numër të konsiderueshëm të tifozëve mysafirë.

Përballja Kosovë-Irlandë do të jetë pjesë e programit të Dardanëve në Ligën e Kombeve, ku më pas do të luajnë në udhëtim ndaj Austrisë nw Vjenë dhe Izraelit në Debrecen, para se të presin austriakët në ndeshjen e katërt.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.