
Për Qeverinë e Kosovës, Serbia po vazhdon “avazin e vjetër” të “shkeljeve të njëpasnjëshme” të marrëveshjeve të dakorduara.
“Ajo vazhdon të dëshmojë se nuk është palë që i respekton parimet e mirëbesimit dhe, në të njëjtën kohë, ofendon dhe shpërfill angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve”.
Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë pason përpjekjet e deklaruara të Serbisë për të “ndaluar procedurën” e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këto paralajmërime u bënë më 18 prill, para nisjes së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për në selinë e kësaj organizate ndërkombëtare në Strasburg.
Një veprim i tillë, megjithatë, bie ndesh me një marrëveshje ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia kanë arritur më 27 shkurt.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve – zbatimin e së cilës Prishtina dh Beogradi e kanë pranuar në mars – parasheh, mes tjerash, që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Garantues i kësaj marrëveshjeje është Bashkimi Evropian dhe ajo ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Kryeziu thotë se “partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, duhet ta dënojnë sjelljen e Serbisë”.
“Kosova mbetet pala e vetme konstruktive, para takimeve, gjatë negociimit dhe pas dakordimit të marrëveshjeve”, thotë ai.
Analisti i politikës së jashtme në Beograd, Boshko Jakshiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se njoftimet e Serbisë për bllokimin e Kosovës janë një “lëvizje e panevojshme” që “krijon përshtypjen se Serbia pranon një gjë, e pastaj punon kundër asaj gjëje”.
Prej se ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, Kosova bën përpjekje për t’u anëtarësuar në organizata dhe institucione ndërkombëtare – gjë të cilën Serbia e kundërshton me mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës.
Për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, Kosova ka paraqitur kërkesë në maj të vitit 2022. Votimi për këtë ende nuk është futur në rend dite./REL