
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Partia në pushtet ka pritje të mëdha për takimin e ardhshëm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel. Ata thonë se në këtë takim do të nënshkruhet marrëveshje për çështjen e të pagjeturve. Ndërkohë, partitë opozitare kanë thënë se nuk kanë kurrfarë pritje, derisa kritikojnë ekzekutivin për mos transparencë në dialog.
Shumë tema pritet të zënë vend në takimin e 2 majit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Aty pritet të flitet edhe për vetmenaxhimin e komunitetit serb, ndërkaq, pritet të ketë edhe nënshkrim të marrëveshjes për çështjen e të pagjeturve.
Ujdi pritet të ketë edhe për temat që janë diskutuar në fillim prillin ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
E brenda kësaj marrëveshje, deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu-Hyseni thotë se janë bërë ndryshime, të cilat do të publikohen së shpejti.
Sipas saj, diskutimet për vetmenaxhimin, nuk do të ndërlidhen me Asociacionin.
Por, nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se nuk presin asgjë nga takimi i 2 majit.
Sipas tyre, ani pse është arritur marrëveshja pa nënshkrim në Ohër, e njëjta nuk po zbatohet.
Për këtë takim nga AAK-ja thonë se nuk kanë kurrfarë informacioni.
Sipas tyre, krejt çfarë marrin vesh lidhur me dialogun është veç përmes medieve e postimeve të krerëve të qeverisë në rrjete sociale.
Megjithatë, çështja e të pagjeturve thonë se duhet të trajtohet me kujdes nga qeveria e Kosovës.
Më 4 prill, kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq kanë zhvilluar një takim nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ata kanë thënë se janë diskutuar tema të ndryshme, përfshirë energjinë, targat e çështjen e të zhdukurve, por edhe formimin e Asociacionit.
Ndërkohë, të martën e 18 prillit, Bashkimi Evropian ka themeluar Komisionin e përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve./Gazeta10