
Qeveria Kurti ka marrë sërish një verdikt të gjykatës se ka shkelur ligjin. Gjykata Themelore në Prishtinë(Departamenti për Çështje Administrative) ka konfirmuar vendimin e Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) se emërimi Kryeinspektorit të Punës është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Më 27 prill, gjykata ka vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, me të cilën është kërkuar të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, thuhet në aktgjykimin që gazeta Nacionale e ka siguruar nga burimet brenda gjykatës
Në aktgjykimin 9 faqesh, gjykata ka arsyetuar vendimin e Këshillit se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës ka qenë e kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.
Gjykata ka konstatuar se në këtë proces Qeveria nuk e ka respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili kërkon që për pozita të tilla të shpallen konkurse publike.
Sipas aktgjykimit, pretendimet e Ministrisë së Financave për të rrezuar vendimin e KPMSHCK janë të pabaza.
Aktgjykimi ka vlerësuar se vendimi i Këshillit ka qenë i drejt, i bazuar në dispozita ligjore duke e vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe juridike.
“Gjykata konstaton se pala paditëse në asnjë fazë të procedurës nuk ka dëshmuar se lidhur me të gjeturat si në raportim e monitorimit të jashtëzakonshme ka vepruar në kuptim të nenit 32 dhe 40 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, andaj përderisa nuk plotësohen kushtet nga neni 3 dhe 4 i Ligjit për Shërbyesit Civil gjykata konstaton se paditësja nuk ka aplikuar dispozitat përkatëse në procedurën e rekrutimit për pozitat për të cilat janë dhënë rekomandime në raportin e monitorimit të jashtëzakonshëm, e të cilat rekomandime pala paditëse nuk ka dëshmuar se iu është përmbajtur edhe sipas ligjit në piken II të vendimit të kontestuar me padi”, thuhet në faqen 7 të aktgjykimit, duke shtuar se vendi i Këshillit ka qenë në përputhje me ligjin, raporton Nacionale.
“Në këtë kuptim gjykata konstaton se vendimi i të paditurës është vendim i drejt dhe i ligjshëm dhe në kuptimi të nenit 20 paragrafi 5 të Ligjit për KPMSHSK institucioni përkatës i administratës publike është i obliguar për zbatimin e rekomandimeve si të Këshillit, brenda afatit të përcaktuar me vendimin e këshillit. Mbi bazën e konstatimeve si në këtë vendim të kësaj gjykate edhe refuzohet si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit si në dispozitiv të këtij vendimi”, është thënë në aktgjykim.
Më 25 maj të vitit të kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.
Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë kishte ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik.
Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Pavarësisht vendimit të këshillit, Qeveria e Kosovës ka vazhduar ta mban në këtë pozitë Hekuran Nikçin.
Madje, Ministria e Financave kishte vendosur që këtë vendim ta sfidonte në gjykatë.
Fillimisht, ministria kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ta shtynte ekzekutimin e vendimit të Këshillit, por gjykata kishte refuzuar një gjë të tillë.
Më pas, ministria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo e fundit kishte vlerësuar se kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendit është e pabazuar.
Në këtë mënyrë, Qeveria Kurti për afro një vit po e mban kundërligjshëm Hekuran Nikçin në Pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
Në fund të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se ministria brenda afati prej 15 ditësh mund të ankohet në Gjykatën e Apelit. /Gazeta10/
