
Raporti: Saranda Alshiqi
Komuna e Novobërdës dhe Shoqata e Vullnetarëve në Gjilan, përmes një marrëveshjeje kanë përzgjedhur 32 zjarrfikës vullnetarë për të kontribuar për këtë komunë. Ndër këta zjarrfikës, të përzgjedhur janë edhe familjarë të zyrtarëve komunal të cilët do të paguhen për gjashtë muaj nga paratë e komunës. Kjo është konfirmuar nga vetë zyrtarët por ata mohojnë të kenë pasur ndikim në përzgjedhjen e familjarëve të tyre.
Përmes një marrëveshje jo publike mes Komunës së Novobërdës dhe Shoqatës së Vullnetarëve të Zjarrfikësve në Gjilan, përfituan familjarë të zyrtarëve të kësaj komune.
Nga marrëveshja gjashtë mujorëshe me mundësi vazhdimi, për të cilën vullnetarët do të shërbejnë në Novobërdë do të paguhen me para të komunës.
Punësimet familjare i kanë konfirmuar dy zyrtarë komunal.
Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Gafurr Vllasalihu, i cili edhe e ka nënshkruar marrëveshjen me shoqatën, nuk ka pranuar të flas para kamerës.
Por, në një përgjigje përmes telefonit ai tha se në listën e të pranuarve është djali i vëllait të tij duke mos e mohuar të ketë edhe të afërm të tjerë. Sipas tij në këtë komunë të gjithë njihen mes vete.
Edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal, Ramush Mehmeti tha se i përzgjedhur është edhe djali i tij. Por ai ka mohuar se ka pasur ndikim në përzgjedhje.
Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, thotë se është në dijeni se brenda listës ka familjarë të zyrtarëve komunalë, por sipas tij, ai nuk është pyetur asgjë për këtë çështje.
Kanal10 ka kërkuar listën me vullnetarët e përzgjedhur, mirëpo komuna e as shoqata nuk kanë pranuar ta japin atë.
Nga kjo marrëveshje, 32 vullnetarët paguhen 303 euro bruto për gjashtë muaj.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent për procedurat sipas ligjit, të cilët nuk e kanë interpretuar atë./Gazeta10