
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Familjarët e të zhdukurve janë të zhgënjyer me përmbajtjen e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila u miratua të martën në Bruksel. Sipas tyre, në të nuk bëhet fjalë për hapje të arkivave dhe nuk jepet asnjë siguri se fati i të njëjtëve do të zbardhet. Derisa, kritikave dhe dilemave për termin “të zhdukurit me forcë” dhe nëse është barazuar agresori me viktimën, ka reaguar kryesuesi i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti.
Reagime të shumta ka nxitur përmbajtja e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila është miratuar në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kritikë për këtë deklaratë janë shprehur edhe nga disa shoqata dhe familjarë të personave të zhdukur me forcë nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryetari i Qendrës për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, thotë se deklarata në fjalë është e paqartë dhe në të, sipas tij, as nuk përmendet hapja e arkivave.
Ai thotë se nuk beson që politika do të mund ta zgjedh këtë çështje, pasi sipas tij, pikërisht ajo ka bërë që për më shumë se dy dekada të mos dihet asgjë për fatin e më shumë se 1600 të zhdukurve.
Derisa, e emocionuar dhe shpresëdhënëse këtë deklaratë e ka parë Nesrete Komunova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e nënave”.
Ajo ka thënë se shpreson që më në fund të zbardhet fati i personave të zhdukur.
Ndërkohë, termi persona të zhdukur me forcë përmendet vetëm një herë në këtë deklaratë, për çka ka nxitur reagime për atë se do të duhej të ishte termi “të zhdukur me dhunë”.
Kritikave se me këtë term është shfajësuar Serbia dhe se është barazuar agresori me viktimën u është përgjigjur edhe Andin Hoti, kryesuesi i komisionit qeveritar për personat e pagjetur.
Ai ka thënë se asnjëra prej tyre nuk qëndron dhe se sipas tij, për herë të parë ka një dokument ku çështja e të zhdukurve trajtohet me prioritet.
“JO, nuk është larguar termi ‘personat e zhdukur me forcë’, e keni në deklaratë veç lexojeni. Për më tepër, edhe për këtë pikë, disa individë flasin sikurse ky term paska ekzistuar dikund këto 24 vite me anë të së cilës Kosova e paska dërrmuar Serbinë nga paditë për krime, dhe ne e paskemi larguar. Ku ka qenë? Kur ka qenë? Të turpshme dhe të pafalshme këto akuza pa bazë.”, tha Andin Hoti – Kryesues i Komisioni qeveritar për personat e pagjetur.
Në deklaratën për personat e zhdukur të miratuar në Bruksel, ndër të tjerash thuhet se palët do të angazhohen Për të siguruar qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1600 personave. /Gazeta10