
Raporti: Gentiana Gashi /Kanal10
Shkelje të marrëveshjes së Brukselit e ka konsideruar Bashkimi Evropian shkarkimin e ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Brukseli kanë thënë se ky ekip ka mandat deri në përfundimin e statutit të këtij mekanizmi. Kurse, sa i përket propozimeve rreth Asociacionit, SHBA-ja i ka vlerësuar si pozitive, derisa opozita ka hedhur kritika ndaj ekzekutivit për qasjen në dialog.
Bashkimi Evropian ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Madje, një vendim të tillë nga Brukseli zyrtar e kanë konsideruar edhe si shkelje të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se roli i ekipit menaxhues përfundon vetëm kur të miratohet statuti i Asociacionit.
“Marrëveshjet e dialogut tregojnë qartë që ekipi menaxhues duhet të jetë derisa draft statuti i Asociacionit të miratohet. Të martën, ekipi menaxhues propozoi draft statutin e parë, e filluam procesin dhe procesi nuk ka përfunduar. Kështu, vendimi për ta shkarkuar ekipin menaxhues, shkel letrën dhe shpirtin e marrëveshjeve të dialogut dhe çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të merret në pajtim me punën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.”
Ndërkohë, Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi për shkarkimin e ekipit menaxhues për Asociacionin, nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen me Serbisë.
Ai ka kritikuar zëdhënësin e BE-së, duke thënë se detyra e vetme e Ekipit menaxhues ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.
“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes.” – Klisman Kadiu – Këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi
E draft-statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet si serioz, derisa i një rëndësie të njëjtë është konsideruar edhe draft-versioni i propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për këtë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këto propozime i ka vlerësuar si progres të vogël në kuadër të dialogut dhe se sipas tij, me këtë lëvizje pala kosovare ka dëshmuar për herë të parë mundësinë e jetësimit të Asociacionit.
“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një. Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz.” – Gabriel Escobar – I dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor
Megjithatë, dy partitë opozitare, LDK-ja e AAK-ja, draftin e propozuar nga Kurti e kanë parë si arsyetim të tij për mungesën e një strategjie në dialog.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar shefin e ekzekutivit se me papërgjegjësinë e tij, po e dëmton vendin.
Kurse, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri i ka quajtur eksperiment veprimet e ekzekutivit kosovar në kuadër të dialogut.
Ndryshe, draft-statutin e propozuar nga ekipi menaxhues, kryeministri i vendit, Albin Kurti e kishte quajtur si kundërkushtetues, duke thënë se ai i ngjante Republikës Srpska.
Derisa, si kundërpërgjigje pala kosovare kishte propozuar një draft tjetër prej 10 pikave, sipas së cilit dokument ekzekutivi ka dhënë versionin se si parasheh trajtimin e komunitetit serb në Kosovë.