
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjyqtarit A.G., i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, Avdirrahman Gashin, i cili është arrestuar gjatë ditës së sotme, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë e arsyeshme në këtë fazë të procedurës, pasi ekziston rreziku që i pandehuri, nëse do të lihej në liri, mund të ndërhynte në zhvillimin e hetimeve.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, ekziston mundësia që ai të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë prova, si dhe të ndikojë te dëshmitarët.
Në vendimmarrje janë marrë parasysh edhe pesha dhe natyra e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, si dhe pozita zyrtare që ka mbajtur i pandehuri.
Paraburgimi ndaj A.G. është caktuar në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ndaj këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Njoftimi i plotë:
Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit A.G.
Prishtinë, 15 Gusht 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.G., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikojë provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë, po ashtu Gjykata ka marrë parasysh peshën dhe natyrën e veprës penale për të cilën i pandehuri dyshohet, mënyrën dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale si dhe pozitën zyrtare të të pandehurit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.