
Klubi futbollistik Malisheva ka deponuar ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës ndaj gjyqtarit Mervan Bejtullahu.
Malisheva është ankuar në FFK kundër Mervan Bejtullahut, pasi sipas tyre ai e ka dëmtuar shumë këtë klub në ndeshjen kundër Dukagjinit e cila u zhvillua në fundjavë.
“Klubi ka deponuar një ankesë në FFK, kundër referit Mervan Bejtullahu të ndeshjes Dukagjini – Malisheva, e cila u zhvillua fundjavën e kaluar, i cili me vetëdije të plotë, pa etike dhe llogaridhënie profesionale dhe pa përgjegshmëri personale, shkaktoi skandalin e tij të radhës duke dëmtuar rëndë skuadrën tonë me referimin e tij skandaloz, duke prishë imazhin e FFK-së dhe duke kriminalizuar futbollin tonë”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Malishevës.
Malisheva në ditët në vazhdim planifikon që të bëjë ankesë edhe në organet disiplinore të UEFA-s, pasi gjyqtari Bejtullahu bartë edhe stemën e shtëpisë më të madhe të futbollit europian.
Ndeshja Dukagjini – Malisheva përfundoi me rezultat minimal 1-0 në favor të skuadrës vendase.
Malisheva gjendet në pozitën e shtatë në tabelë me 39 pikë të grumbulluara.