
Avokati Hasan Shala, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ka komentuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës.
Shala fillimisht e ka uruar presidenten e zgjedhur, duke i dëshiruar sukses gjatë mandatit të saj pesëvjeçar.
“Së pari, më lejoni ta uroj presidenten dhe t’ia uroj detyrën. I dëshiroj sukses në detyrën e saj tash pesëvjeçare, i dëshiroj shëndet dhe punë”, ka deklaruar Shala.
Duke folur për aspektin kushtetues të procesit të zgjedhjes, Shala ka shprehur qëndrimin se Justina Shiroka-Pula është zgjedhur në përputhje me kompetencat kushtetuese, duke theksuar se, sipas tij, çështja kryesore lidhet me kohën kur është zhvilluar votimi.
“Konsideroj se u zgjodh në suaza të kompetencës së Kushtetutës, ngase votimi është bërë para skadimit të afatit prej 24 orësh. Numërimi, shpallja e rezultateve dhe dhënia e betimit u bënë jashtë këtij afati. Konsideroj që këto janë çështje teknike, por kryesore është se kemi të bëjmë me votimin që ka filluar para skadimit të afatit”, ka thënë Shala.