
“Rrëfimi i secilit nga të mbijetuarit është i njëjtë, sepse kjo është e vërteta”. Përveç fakteve të tjera për krimet serbe në Dubravë, kjo është njëra nga mënyrat se si i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli e dëshmon vërtetësinë e kësaj masakre të kryer nga forcat serbe.
Dugolli duke rrëfyer arsyet se përse ka bërë një kërkesë drejtuar Gjykatës Speciale, për të hetuar Masakrën e Dubravës, ka shpalosur edhe disa detaje duke përmend emra konkret të personave që ishin vendimmarrës në këtë krim kundër shqiptarëve.
“Ju kam drejtu me shkresë zyrtarë si viktimë dhe mbijetuar për Masakrën e Dubravës, duke iu arsyetuar në hollësi që ka pasur një hierarki shtetërore që e kanë organizuar dhe ekzekutuar këtë masakër. Që nga Dargogojublanoviq që ka qenë ministër i Drejtësisë, me urdhër të tij njëherë jemi largu nga Kosova në vitin 1998, më arsyetimin për shkaqe sigurie. Ndërsa, një vit më vonë 29 prill na kanë kthy, prapë vendos Dragujublanov si minsitër i Drejtësisë, që ishte edhe drejtues i krejt burgjeve, politikave, trajtimet ndaj të burgosurve. Andaj unë pres që Prokuroria Speciale e Dhomave të specializuara të merrë vendime në këtë drejtim. Organizuesit e kësaj masakre janë krerët e Serbisë, që ende po metën të pandëshkuar.”, deklaroi ai në “INFO10”.
Më tutje, deputeti i VV-së, ka thënë se për kërkesën e tij ka marrë dëshmi rrëfimet e të mbijetuarve, që janë edhe të gatshëm të dëshmojnë në Speciale, pa e fshehur identitetin, shkruan Gazeta10.
“Jo që janë të gatshëm, por ata kurdo herë e çdo herë e në çdo rrethanë janë të gatshëm të dëshmojnë sepse përjetimi i asaj masakre është horror i vërtet. Gjithë ata që e kanë përjetu atë masakër, është e pashlyeshme si ngjarje për ta. Nëse iu referoheni rrëfimeve të tyre, të gjithë e kanë pothuajse identike rrëfimin, sepse e vërteta ka qenë ashtu. Unë pres që edhe të mbijetuarit tjerë do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës për të dëshmuar. Asnjë nga ne nuk do të kërkoj masa mbrojtëse e fshehje të identik, sepse i kemi thënë çdo herë këto të vërteta në publik.”, tha mes tjerash ai.
Duke hedhur akuza për mos dënime sa i përket këtij krimi, Dugolli ka thënë se Specialja s’duhet të jetë Gjykatë njëetnike e të hetoj veç krimet e shqiptarëve por edhe të serbëve.
“Në ligj nuk shkruan që do t’i ndjek vetëm shqiptarët. Ndonëse nuk është temë qendrore e raportit, por masi ka filluar faza e interpretimit të raportit, ekziston bazë e mjaftueshme që Prokurori të fillojë hetimet, ose le të dalin e të thonë se kjo Gjykatë nuk heton krimet e Serbisë dhe serbëve, por veç të shqiptarëve. Unë pres që kjo kërkesë të merret parasysh, sepse kur Trandifilova kur e ka thënë atë ka qenë e vetëdijshme. Sepse të krijosh Gjykata njëetnike, raciste është e tmerrshme. Unë nuk pres menjëherë përgjigje, sepse materialin që e kam dërgu pres që të analizohet e të merret një vendim meritor.”, tha ai.
Enver Dugolli ka kërkuar që për masakrën e Dubravës të kryer nga forcat serbe, të bëhet një hetim nga Specialja./Gazeta10