
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Opozita drejtuar kritika ndaj Qeverisë për mënyrën e sjelljes ndaj investitorëve potencial në Kosovë. Sipas opozitës dhe njohësve të ekonomisë, ekzekutivit ka qasje jo serioze në raport me krijimin e kushteve për investimet e huaja. Por, ndryshe mendojnë në Qeveri. Ata thonë se vitin që shkoi pati vlerë rekorde të investimeve, në krahasim me vitin paraprak.
Qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj investitorëve strategjik, po kritikohet nga opozita dhe njohësit e ekonomisë.
Sipas tyre, ekzekutivi i vendit nuk e ka një qasje serioze për sjelljen e investimeve të huaja.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se këtë qasje ndaj investimeve të huaja, më së miri e tregon Ligji për Investitorët.
Sipas Shalës, ky Ligj fare nuk është i mirë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Edhe njohësit e ekonomisë kanë adresuar kritika ndaj ekzekutivit për mënyrën se si po iu qaset investitorëve potencial dhe sjelljen e tyre në Kosovë.
Në dy muajt e parë të këtij viti, sipas Bankës Qendrore, vlera e investimeve të huaja ka shkuar në mbi 100 milionë euro.
“Në dy muajt e parë të këtij viti (janar-shkurt 2023), vlera e investimeve të huaja arriti në 104.7 milionë euro”., thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore.
Rritje të vlerës së investimeve të huaja kanë deklaruar edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas kësaj Ministrie, viti që lëmë pas, janë arritur shifra rekorde të investimeve të huaja në Kosovë.
“Investimet e huaja direkte, gjatë vitit 2022 për herë të parë kanë prekur shifrat rekord në vlerë prej 778.2 milionë eurosh, apo 83.57 për qind rritje krahasuar me vitin 2021. Po ashtu, ju njoftojmë se edhe viti 2023 ka filluar mbarë në këtë aspekt, ku dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar kanë pësuar rritje afër 50 për qind, e që është indikator i mirë se do të ketë rritje të investimeve të huaja direkte edhe gjatë këtij viti”, deklaroi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeqziu, ka thënë për Kanal 10 se janë duke punuar për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Sipas vlerësimeve, përveç korrupsionit, problemet si energjia elektrike, politikat jo të favorshme fiskale, si dhe burokracia, janë pengesat për ardhjen e investitorëve të huaj. /Gazeta10