
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Të martën në Hagë ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarit të katërt në procesin ndaj ish krerëve të UÇK-së. Praktika e instaluar nga Specialja për mbajtjen e seancave private ka vazhduar edhe këtë herë. Por lajmi i ditës ka ndodhur në Prishtinë ku është mësuar përkeqësimi shëndetësor i nënës së ish-presidentit Thaci e cila ka qenë e shtrirë disa ditë në QKUK.
Hashim Thacit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së i është dashur edhe sot të përballen me dëshmitarin e radhës.
Sikurse është bërë praktikë tashmë, Specialja edhe këtë herë ka vendosur ta mbyll seancën për publikun.
Krejt cfarë mund të shohin qytetarët është vetëm një video me figurë, por pa zë.
Mbrojtja e Thacit e ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të katërt, për ta vazhduar mbrojtja e Veselit.
Por kjo javë me sanca të vazhdueshme duket të ketë qenë e rëndë vecmas për njërin prej tyre, ish presidentin e Thaci për shkak të lajmeve jo të mira nga Kosova.
Nëna e tij prej disa ditësh ka qenë e shtrirë në QKUK.
Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë, Besnik Elshani.
“Që disa ditë ka qenë duke marrë trajtim në Klinikën tonë. Ajo është liruar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore pas ekzaminimeve dhe analizave të bëra.”
Megjithatë, për arsyet e trajtimit mjekësor nuk kanë dashur të japin detaje.
As në gjykatë nuk është dhënë ende ndonjë lajm nëse Thaci mund ta vizitojë së shpejti nën e tij të sëmurë.
Përtej këtyre zhvillimeve, puna e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar pa ndërprrë.
Është mësuar se trupi gjykues e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit që listës së provave t’iu shtohet edhe një dokument.
Ndonëse, një kërkesë e tillë sipas trupit gjykues është kundërshtuar nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Në këtë rast bëhet shumë e vështirë për të gjithë palët, jo vetëm për pakët por edhe për ne për t’u përgatitur si duhet, kundërshtimi i ZPS-së është i kuptueshëm, megjithatë trupi gjykues do ta lejoj shtesën e provës material. “
Ndërkaq, të mërkurën pritet të nisë dëshmia e dëshmitarit të pestë kundër ish krerëve të UÇK-së, e cila pritet të jetë publike./Gazeta10