
Federata e Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinori ndaj skuadrës së Ballkanit.
Shkak për këtë procedurë ndaj kampionit në fuqi të Kosovës janë fyerjet që tifogrupi “Xhebrailat” i kanë bërë trajnerit Tahir Batatina në ndeshjen kundër Ballkanit që u zhvillua këtë fundjavë në kuadër të xhiros së 34-të në Superligë.
“Në minutat 13,29,32,34 tifo grupi ”Xhebrailat”, ofendojnë në kor kryetrajnerin e ekipit mysafir, ndërsa në minutën 39, për të njëjtat arsye referi kryesor e ndërpret lojën për 5 (pesë) minuta dhe kërkon nga përfaqësuesi për siguri që të ndërpriten fyerjet, në të kundërtën duhet të zbrazet tribuna. Të njëjtit edhe pas përfundimit të ndeshjes, derisa ekipi mysafir po shkonte në zhveshtore kanë vazhduar me ofendime në kor ndaj kryetrajnerit të ekipit të FC ”Llapi” Tahir Batatina”, thuhej në njoftimin e FFK-së.
Në ndeshjen Ballkani – Llapi, skuadra vendase mori fitore me rezultat minimal 1-0 dhe mori pozitën e liderit në tabelë dy javë para përfundimit të edicionit dhe tashmë therandasit janë rrugës së duhur për të mbrojtur titullin kampion.