
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur lajm të bukur arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumente kalimi, raporton Gazeta10.
Rama ka thënë se uron që të dyja palët ta dërgojnë dialogun në një nivel të ri.
Tutje, Rama ka thënë se nuk duhet humbur kohë dhe energji për arritjen e gjërave si kjo sot.
Këtu keni statusin e plotë:
“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Twitter.
Kujtojmë se për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kosova në targa dhe dokumente kalimi ka pasur tensione të mëdha politike. Në Kosovë dhe Serbi për këtë temë kanë qëndruar i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Para pak orësh, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje ku Serbia ia ka pranuar Kosovës dokumentet e kalimit. / Gazeta10