
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka shkuar në zyrë kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.
Peci tregoi se si ministër, i ka uruar detyrën e re Hetemit dhe si Qeveri i ka ofruar mbështetjen në realizimin e këtij funksioni.
“Së bashku me Zëvendësministrin e Brendshëm, Blerim Gashani, kisha kënaqësinë e veçantë të vizitojmë sot në zyrën e tij, z. Lulzim Hetemin, Kryetarin e Komunës së Leposaviqit. Ia uruam detyrën e re dhe i ofruam tërë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si Ministër i Bujqësisë, i tregova kryetarit Hetemi për planet e projektet shumëmilionshe për bujqësinë për qytetarët e komunës që ai udhëheq, pa asnjë dallim përkatësie etnike e tjetërfare”.
Tutje, Peci ka shkruar “There’s is a new sherif in town” – (Ka një sherif të ri në qytet).
Kujtojmë se të njëjtën frazë e përdori presidentja Osmani kur po udhëhiqte si kryetare kuvendi një seancë më 2020.