
Donis Avdijaj ka qenë prej lojtarëve vendimtar te skuadra e Hartbergut, që siguroi mbijetesën në elitën e futbollit të Austrisë.
Me Hartbergun, Avdijaj në Bundesligën austriake shënoi gjashtë gola dhe dhuroi pesë asistime në 15-të ndeshje.
“Sky Sport” i Austrisë ka mësuar të shtunën se Avdijaj po planifikon rikthimin në futbollin gjerman, dhe se janë tri skuadra të interesuara për të, Werder Bremeni i Bundesligës gjermane dhe Hertha e St. Pauli që do të bëjnë gara në Bundesliga 2.
“Në Gjermani jetohet për futboll për shkak të profesionalizmit dhe tifozëve. Nuk ka gjë më të mirë sesa të jesh lojtar i ndonjë klubi në atë shtet”, ka deklaruar Avdijaj për mediumin gjerman.
Avdijaj, që u huazua te Hartbergu në vitin e kaluar, ka kontratë me Zuerichun deri në vitin 2025, ndërsa klauzola e lirimit të tij është 450 mijë euro.