
Ka filluar takimi mes dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak me Listën Serbe. Siç shihet në fotografinë e siguruar nga Kanal10, kryetari i kësaj liste Goran Rakiq mbërriti në zyrën e BE-së me veturë me regjistrim RKS, raporton Gazeta10.
Përderisa Rakiq vjen në Prishtinë me tabela të Republikës së Kosovës, në veri të vendit përkundër thirrjeve të mëdha, serbët ende po refuzojnë pajisjen me këto tabela.
Është pikërisht Rakiq ai i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë ende më i zëshmi kundër pajisjes së serbëve me tabela RKS, kurse vet udhëton me veturë me regjistrim të Republikës së Kosovës.
Vlen të theksojmë se në kundërshtim të këtyre tabelava në veri kishin ndodhur shumë raste të djegies së veturave të serbëve të cilët i kishin regjistruar ato me RKS.
Kundër këtyre akteve vazhdimisht kanë reaguar institucionet e vendit duke i quajtur si akte që bëhen për të frikësuar serbët lokal që të mos pajisen me tabela RKS. /Gazeta10