
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Elvis Hoxha ka reaguar ndaj të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me deklaratën e tij që Kosova ka kohë deri të premten për të qetësuar situatën në veri të vendit dhe nisur themelimin e Asociacionit.
Ai duke iu kundëpërgjigjur Escobarit edhe për atë që tha se Asociacion do të formohet me ose pa Kurtin, ka thënë se kryeministrin e zgjedh populli dhe se populli nuk i nënshtrohet një emisari, shkruan Gazeta10.
‘’Kryeministrin e zgjedh një popull. Emisarin e emëron dikush. Një popull nuk i nënshtrohet një emisari.’’, shkroi ai në Facebook.
Tutje, Hoxha ka ironizuar me premtimin e Escobarit që tha se e garanton Kosovën se s’do të ketë Republikë serbe, ndërkohë që shkon dhe përshëndetet me Dodikun.
”Escobari na siguroi për dy çështje: Kosova duhet të shkojë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me aftësitë e një shteti të plotë, por… unë Escobari, unë emisari, mund t’i vendos kushte kryeministrit të zgjedhur të saj. Ju garantoj se nuk do të ketë Republikë serbe, veç më falni pak… sa të shkoj të përshëndetem me Dodikun.”, shkroi ai.
Kujtojmë se pak më parë reagoi edhe këshilltari tjetër i Kurtit, Hysamedin Feraj./Gazeta10
