
Asamblisti i Vetëvendosjes në komunë të Prishtinës, Arianit Beqiri i është përgjigjur akuzave të LDK-së për puç politik në kuvendin komunal, pas seancës së sotme të jashtëzakonshme për shkarkimin e 20 aksionarëve të 10 ndërmarrjeve publike komunale.
Beqiri për Gazeta10 nuk u pajtua me termin e përdorur nga asamblistja e LDK-së Jeta Rafuna, për puç politik, duke thënë se një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm zyrtarët brenda pushtetit, por jo edhe opozita.
Ai tha se seanca e jashtëzakonshme sot, është vetëm një hap drejt parandalimit të keqpërdorimeve nërpër ndërmarrjet publike.
“4 Ndërmarrje janë nën hetime nga organet e Prokurorisë dhe Hetuesisë. Andaj, ky veprim i sotshëm është hap drejt parandalimit të keqpërdorimeve.”, u shpreh Beqiri për Gazeta10.
Ai u shpreh i bindur se për katër ndërmarrjet publike që janë nën hetime, do të fitojë qyteti dhe qytetarët, por jo edhe LDK e PDK si partnere në pushtet.
“Ndërmarrjet janë pronë e Kuvendit të Prishtinës dhe për to sot vendosi shumica e Kuvendit. Zonja Rafuna vajton sepse po i dështon instalimi i nomenklaturës së LDK-së. Por, kjo e ka një të mirë: qyteti do të fitoj dhe ndërmarrjet nuk do t’i takojnë më PDK-së e LDK-së, por Prishtinës e qytetarëve të saj.”, tha Beqiri.
Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma ka votuar pro shkarkimit të 20 aksionarëve të dhjetë ndërmarrjeve publike komunale.
Ata kanë emëruar anëtaret e rinj, ku në mesin e tyre është edhe Arianit Beqiri, asamblist njëherit edhe asistem i kryeministrit, Albin Kurti.
Në këtë mbledhje nuk morën pjesë asamblistët e LDK-së dhe PDK-së.
Asamblistja e LDK-së, Jeta Rafuna, veprimin e sotëm të partive opozitare në kryeqytet, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismas, për shkarkimin e 20 aksionarëve të 10 ndërmarrjeve publike komunale, e ka quajtur “puç politik”. /Gazeta10