
Ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, ka thënë se SHBA-ja po bën gabim me fajin që po ia vë Prishtinës sa i përket situatës në veri. Ai ka theksuar se kryeministri Albin Kurti e ka njëfarë faji, por të përbashkët me presidentin serb.
Joseph ka theksuar se përgjegjësitë e Aleksandër Vuçiqit janë të larta në “përkeqësimin e krizës me arrestimin e tre policëve të Kosovës”, teksa ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk po e trajtojnë çështjen e Kosovës në mënyrë strategjike.
Joseph e sheh se situata ka përshkallëzuar që pasi Policia e Kosovës njoftoi se ishin kidnapuar tre policët nga forcat serbe.
“Dhe unë, si të tjerët, theksoj Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo është marrëveshja Beograd-NATO që i dha fund bombardimeve 20 vjet më parë, Marrëveshja e Kumanovës, që krijon këtë zonë sigurie prej 5 kilometrash në terren. Është në anën tjetër të kufirit. Kjo do të thotë se policia serbe nuk duhet të jetë as brenda 5 kilometrave. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, ka thënë ai në një intervistë për The Geopost.
Ai ka deklaruar se çështja e tre policëve është në duart e NATO-s, pasi bëhet fjalë për marrëveshjen e NATO-s me Serbinë. Ka shprehur se NATO duhet të informojë ndërkombëtarët për situatën e vërtetë edhe nëse nuk duan ta thonë publikisht.