
Sot është arrestuar edhe një tjetër serb që dyshohet të ketë sulmuar gazetarë në veri të vendit.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka përgëzuar njësitet policore të cilat kanë bërë punë efikase në kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.
Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste” ka thënë Sveçla në njoftimin e tij.
Dalibor Spasic (në fotografinë më poshtë) të siguruar nga Indeksonline mori pjesë në sulmet e bëra ndaj gazetarëve ditën e 31 majit, kur edhe pati tensione të shtuara në Zveçan.

Në një aksion të organizuar, Policia gjithashtu ka njoftuar se 35 vjeçarin e arrestoi në Jarinje.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” bëri të ditur Policia