
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar për agjendën që e ka pasur gjatë kësaj jave, duke thënë se iu ka raportuar ambasadorëve të NATO’s dhe Bashkimit Evropian për situatën në Veriun e Kosovës.
Ai ka kërkuar masa të menjëhershme të de-përshkallëzimit në Kosovë
Po ashtu ka treguar se do të shkojë në Uashington, duke paralajmëruar diskutime intensive atje për çështjen e dialogut.
“Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së”, ka shkruar Lajçak në Facebook, raporton Express.
“Do të shkoj në Uashington DC më pas me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm”, ka thënë ai.
Në Veriun e Kosovës tash e disa javë ka tension, pasi grupe të organizuara serbe nuk po pranojnë që kryetarët shqiptarë të operojnë brenda hapësirave të komunave veriore.
Protestuesit e dhunshëm serbë kanë sulmuar zyrtarë të KFOR’it, policsë, si dhe nënpunës të mediave.