Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës u nënshkrua nga motra e deputetit të VV-së

Gazeta10
22 June 2023 - 19:11

Raporti: Kanal10

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e ka anuluar vendimin me të cilin ishte shfuqizuar pezullimi për certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.

Kjo agjenci ka njoftuar se është anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit së këtij mediumi.

Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtores Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, pasi sipas vendimit, ajo e ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova.

“Pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga zëvendsdretorja e ARBK-së, Lebibe Haliti.

Haliti, ndryshe është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.

Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë lidhur me këtë rast.

“Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë.”

Ky vendim, gjithashtu ka nxitur reagime të shumta në vend, me ç’rast si alarmant është vlerësuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“AGK-ja rithekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë. AGK-ja bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.”

Gjithashtu, ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“Shkarkohet një grua afër pensionimit në mënyrë arbitrare. Caktohet motra e deputetit në pozitë dhe anulon një vendim të ligjshëm dhe vendos padrejtësi me një vendim tjetër. Anarki, pasiguri juridike, padrejtësi në emër të ligjit”.

Edhe në rastin e parë, kishte pasur reagime të shumta nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, derisa një vendim i tillë ishte dënuar edhe nga ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.