
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është suspenduar një polic i cili ka incizuar një të arrestuar në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut, shkruan Gazeta10.
Ai ka thënë se ka ftuar Inspektoratin që të fillojë hetimet për rastin, sepse sipas tij kjo është diçka e papranueshme.
“Mbrëmë përmes mediave kam parë videon denigruese ndaj një të arrestuari teksa ndodhej në ndalim në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut. Zyrtari Policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vijojnë procedurat hetimore nga IPK.
Kam përgëzuar dhe vazhdoj të përgëzoj secilin aksion të organeve tona që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurtë, për mirëqenie, barazi e drejtësi për të gjithë dhe pa dallim. Mirëpo, inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast.”, ka shkruar ai.
Ministri ka thënë se çdo i burgosur ka të drejtat e tij me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë./Gazeta10