Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Serbët nxjerrin Deklaratën e Vidovdanit

Gazeta10
27 June 2023 - 19:40

Raporti: Gentiana Gashi / KANAL10

Serbët lokal, përsëri kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut e Graçanicë, për lirimin e disa serbëve të arrestuar. Protestuesit në Graçanicë kanë paraqitur deklaratën e Vidovdanit, me pesë pika, ku ndër to paralajmërohej përgjigje nëse nuk lirohen të njëjtit, si dhe do të bëhet e qartë nëse do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Qytetarët serbë përmes protestave po i kundërshtojnë arrestimet e të dyshuarve për krime lufte dhe atyre për sulme ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve në komunat veriore të vendit.

Madje, në protestën e mbajtur në Graçanicë, është paraqitur edhe një deklaratë, e quajtur “Deklarata e Vidovdanit”, e cila përmbante pesë pika, e në të cilën tregohej nëse do të ketë asociacion ose jo.

Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, teksa ka lexuar “Deklaratën e Vidovdanit”, tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të dëgjojë serbët për problemin që kanë me Kurtin.

“Sot dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, kemi problem me një njeri që tregon qartë se nuk i do serbët në këto zona, ne kemi problem me Kurtin dhe regjimin e tij në Prishtinë”, theksoi Jevtiq.

Në “Deklaratën e Vidovdanit”, Jetviq përmendi nëse do të ndodhë apo jo edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nën dy, njerëzit tanë të vuajtur, besimin në një të nesërme e ka thurur në asociacionin e komunave serbe, të cilën na e garantoi edhe bashkësia ndërkombëtare. Prej 10 vitesh presim të drejtën tonë për një jetë të denjë për njeriun në shekullin e 21-të, për qëndrimin dhe mbijetesën tonë në këto treva. Ka ardhur koha që e vërteta të dalë në dritë dhe kjo në këtë Vidovdan të thuhet qartë nëse do të kemi ZSO, përndryshe e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Jevtiq.

Ndërkohë, në protestën e mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Dragisha Milloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, ka kërcënuar me përgjigje, nëse, sipas tij, vazhdon “zullumi” ndaj popullit serb.

“Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’i përgjigjemi të gjithë atyre të cilët na duan të keqen, të cilët ëndërrojnë luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona”, tha Milloviq.

Serbët lokal, kanë protestuar për të njëjtat arsye edhe ditë më parë, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve të cilët dyshohen për krime nga lufta e fundit në Kosovë. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.