
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Për të dytën herë është anuluar konkursi për mjek urolog në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Kjo për shkak se nuk ka interesim të kandidatëve. Për një gjë të tillë nga Oda e Mjekëve është kërkuar që të bëhet ndryshim plotësimi i Udhëzimit Administrativë. Derisa, nga komisioni parlamentar i Shëndetësisë është thënë se do të iniciohet si rast, pasi që spitalet nuk duhet të përballen me mungesë të mjekëve.
Për dy muaj, kanë dështuar dy konkurse për punësimin e një urologu në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Në konkursin e parë, që kishte zgjatur nga 25 maji deri më 8 qershor kishte aplikuar vetëm një urolog, me ç’rast është dashur që konkursi të përsëritej.
Ndërkaq, në konkursin e dytë nga 9 qershori deri më 23 qershor, nuk kishte aplikuar askush, duke bërë që konkursi të anulohet.
Sipas vendimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës anulimin i konkursin është bërë për shkak se nuk kanë qenë tre kandidatë, siç përcaktohet në nenin 6 të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave te Konkursit ne Sektorin Publik.
Por, drejtoresha e Spitalit në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, e ka mohuar të jetë anuluar konkursi, e cila nuk ka pranuar të jep më shumë detaje rreth kësaj çështjeje.
Për vështirësitë e punësimit të mjekëve në spitalet publike kanë folur nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Ata kanë thënë se duhet të ndryshohet sistemi i konkurseve, pasi që disa prej tyre po dështojnë, si pasojë e mos arritjes së kriterit prej tre kandidatëve.
Nga Komisioni parlamentar për shëndetësi kanë thënë se një kërkesë të tillë do ta iniciojnë si rast.
Anëtari i këtij komisioni, Haxhi Avdyli ka thënë se do të punojnë në plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, pasi për disa konkurse nuk është e domosdoshme që të jenë tre kandidatë.
Ndryshe, në spitalet publike rajonale, qytetarët hasin në shumë vështirësi për të marrë shërbimet e nevojshme mjekësore, që në disa raste, lidhet edhe me mungesën e stafit profesionist shëndetësor. /Gazeta10