
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Kjo seancë në të cilën pati përleshje fizike, po kontestohet nga partia më e madhe opozitare, PDK.
Kjo parti e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për ta mbajtur seancën e 13 korrikut, e cila nuk u zhvillua normalisht.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në kërkesën drejtuar kushtetueses, kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe rrjedhimisht edhe vendimeve që janë marrë në të.
“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese. Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”.
Mirëpo, nga partia në pushtet po e kundërshtojnë këtë vendim të partisë opozitare.
Deputeti i LVV-së, Agon Batusha thotë se ishin vet ata që lëshuan sallën dhe se seanca e 13 korrikut ka qenë në përputhje me rregulloren e re të Kuvendit.
Kurse, nga IKD thonë se janë disa shkelje gjatë seancës së 13 korrikut.
Seanca e Kuvendit të Kosovës e 13 korrikit u ndërpre nga një përleshje mes deputetëve dhe kabintetit qeveritar e u shoqërua nga tensione e konfrontime fizike, u përmbyll me miratimin e dhjetëra projektligjeve që u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në parlament.