Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kosovarët e armatosur, brenda 24 orëve policia sekuestron 3 kallashnikov dhe 11 pistoleta

Gazeta10
11 August 2023 - 13:10

Pas vrasjeve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë, Policia e Kosovës ka shtuar kontrollin në rrugë dhe vendet e dyshimta. Nëse e shikohet faqja e policisë në Facebook, “Kosovo Police”, shihet se shumica e njoftimeve kanë të bëjnë me konfiskimin e armëve të zjarrit në rajone të ndryshme të Kosovës, ka raportuar Nacionale.

Sipas këtyre njoftimeve, vetëm dje dhe sot, policia ka sekuestruar 14 armë zjarri. Në mesin e tyre, tre kallashnikov dhe 11 pistoleta të llojeve të ndryshme.

Gjithashtu, në këto aksione, policia ka sekuestruar dhjetëra fishek, thika dhe mjete tjera të palejuara.

Në njoftimin e fundit, policia ka treguar se gjatë një bastisje në fshatin Gjyrkovc të Shtimes janë gjetur 4 armë zjarri ( 3 pistoleta me gaz, një armë zjarri automatike) dhe sasi e municionit, të cilat më pas janë konfiskuar.

Në një njoftim tjetër, tregohet se policia e rajonit të Prizrenit gjatë një bastisje ka gjetur një pistoletë.

Gjithashtu, drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan në dy raste të ndara në zbatimit të planit operativ “Goditja 2023” gjatë kontrolleve të veturave dhe personave kanë gjetur dy armë dhe pesëdhjetë copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Kurse, policia e rajonit të Prishtinës, gjatë aksioneve të fundit ka sekuestruar katër pistoleta dhe 43 copë fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

As njësitet e hetimeve të Stacionit Policor Novobërdë nuk kanë qëndruar duarkryq. Gjatë një aksioni kanë konfiskuar një pistoletë të kalibrit 9 mm, një armë automatike AK47 si dhe pesëmbëdhjetë copë gëzhoja të shkrepura.

Po ashtu, dje Stacioni Policor në Prizren ka tregua se konfiskuar 1 pistoletë gjatë një aksioni.

Policia ka bërë me dije se pas sekuestrimit të armëve janë arrestuar edhe personat që i kanë poseduar ato.

“Çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur”

Për numrin e madh të armëve që gjenden në duar të qytetarëve ka folur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Duke iu referuar një informacioni nga policia, ai kishte thënë pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur.

Kam informata, që i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren”, kishte thënë Rama.

Me qëllim të konfiskimit të armë-mbajtjeve pa leje, para disa dite, policia ka njoftuar se filluar zbatimin e planit operativ “Goditja 2023”.

“Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike në vazhdimësi ka ndërmarrë aktivitet, ka hartuar e zbatuar plane operative, ka ndërmarrë fushata me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti”, është thënë në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë me dije se qysh në ditët e para plani operativ ka pasur sukses.

Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës). Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”, është thënë në njoftimin e policisë të datës 8 gusht.

Brenda një jave në Kosovë kanë ndodhur tri ngjarje të rënda të cilat kanë përfunduar me tre persona të vrarë dhe disa të plagosur e të lënduar.

Nga të tri rastet, katër persona vazhdojnë të mbesin në arrati. Njëri për ngjarjen që ndodhi në Bon Vivant të premten e kaluar, tjetri për vrasjen në Klinë që ndodhi të hënën, dhe dy të dyshuarit për vrasjen në Runik të Skenderajt që ka ndodhur të mërkurën.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.