
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth shortit të gjyqtarëve si dhe do flasim si gjithnjë për Superligën e Kosovës.
Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Liridon Leci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Avni Haxhiu, Jeton Gashi dhe Sami Boroci. Në lidhje direkte të ftuar janë: Eroll Salihu dhe Genc Hyseni.
Gjatë diskutimit për Ligën e Parë të Kosovës, foli edhe Avni Haxhiu, kryetar i KF Trepça.
“Liga dje filloi shumë mirë, përballë kishim një skuadër të mirë si Rilindja. Mirëpo, mungesa e kushteve në stadium po na lë pak mbrapa”, tha ai.
Tutje, ai bëri me dije se nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës i janë ndarë klubit të Trepçës 2 hektarë tokë.
“Nga KK i Mitrovicës na janë ndarë 2 hektarë tokë për të ndërtuar një stadium ndihmës, aty ku mund të zhvillonim ndeshjet kampionale si dhe stërvitjet.”, vazhdoi ai.
Mirëpo, Haxhiu tha se këtë proces e ka ndaluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky proces është bllokuar nga MKRS-ja, ndonëse kishim marrë pëlqimin e ish-ministres, Vlora Dumoshi, mirëpo Hajrulla Çeku e ka ndaluar këtë proces, tashmë pa arsye zyrtare drejtuar nesh.”, përfundoi ai.