
Kolegji ushtarak amerikan me seli në Pensillvani, Kolegji i Luftës i Ushtrisë i Shteteve të Bashkuara, e ka shpërndarë te të diplomuarit e tij njoftimin që një i diplomuar i këtij kolegji, konkretisht Ejup Maqedonci nga Kosova, është emëruar Ministër i Mbrojtjes në vendin e tij.
“I diplomuar në USAWC më 2019, Ejup Maqedonci nga Kosova u emërua Ministër i Mbrojtjes më 8 gusht 2023, nga Kryeministri Albin Kurti. Ai zyrtarisht doli në pension nga Foeca Mbrojtëse e Kosovës në korrik, për tu emëruar më pas në postin e Ministrit të Mbrojtjes. Të diplomuarit tanë po bëjnë punë të mrekullueshme.”
Kështu është shkruar në postimin e USAWC (United States Army War College), i cili është një kolegj ushtarak që shkollon dhe përgatit ushtarakë dhe civilë për lidership ushtarak dhe politik. Shumë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe liderë ushtarakë e diplomatë, i kanë kryer studimet në këtë kolegj.

Ejup Maqedonci që u emërua së fundi Ministër i Mbrojtjes i Kosovës, ka studiuar në këtë kolegj amerikan në vitet 2018-2019. Nga mbi 270 studentë prej mbi 70 vende të ndryshme, ai është diplomuar si një nga pesë më të mirët duke marrë edhe diplomën “Superior Graduate”.