Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Pokurori i Shtetit: Prononcimet e Kurtit të pasakta dhe tendencioze

Gazeta10
04 September 2022 - 15:40

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit ka reaguar pas deklaratave që ka bërë sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton Gazeta10.

KPK dhe Prokuori i Shtetit kanë thënë se prononcimet publike të kryeministrit dhe ministers së drejtësisë dematohen krejtësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

 “Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial. Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, është parashkruar vetëm një (1) rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale. Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial”, thuhet në reagim.

KPK dhe Prokurori i Shtetit kanë thënë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime.

“KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagimin.

Tutje, në reagim thuhet se ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i kryeministrit shpreh nevojën për një bashkëpunim me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse.

“Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Ky reagim po vjen pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë një konference për media ka thënë se mbi 200 gjykatës janë marrë me rastet e dhunës seksuale dhe kanë shqiptuar vetëm dënime me gjobë dhe me kusht, ndërsa akuzoi edhe rreth 140 prokurorë të cilët tha se kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.