
Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, iu ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të zgjedhin presidentin e vendit. Ai tha se nëse nuk zgjidhet presidenti, do të ketë telashe të mëdha për shtetin e Kosovës, pasi ka armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan.
Pas ceremonisë ku DioGuardi mori shtetësinë e Kosovës, tha se ishte me rëndësi që të qëndrojë në Kosovë në këtë periudhë, siç tha, për ta zgjuar popullin e Kosovës.
“Jam këtu që të siguroj që ju të keni një president dhe shpresoj që të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk zgjidhet deri atëherë, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan. Ishte e rëndësishme që të vija me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar; tani nuk është koha të flini në gjumë, sepse njerëzit kanë marrë nga ju, e urrej ta them, por mund ta shihni edhe vetë”, theksoi ai.
E Shirley Cloyes DioGuardi, ish-veprimtare për çështjen e Kosovës dhe bashkëshortja e DioGuardit, vlerësoi marrjen e shtetësisë kosovare.
Ajo përmendi veprimtarinë e shqiptaro-amerikanëve që nga viti 1989, ku, sipas saj, kongresmeni DioGuardi ekspozoi shtypjen e shqiptarëve nga diktatori dhe krimineli i luftës, Slobodan Millosheviq.
E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se DioGuardi dhe Cloyes ishin ndër zërat më të fuqishëm në SHBA në mbështetje të Kosovës dhe pavarësisë së vendit.
Ajo tha se të dy kanë qenë miq të Kosovës shumë kohë para se të bëhej shtet, ndërkaq tash janë edhe qytetarë të vendit.
Para konferencës për media, Haxhiu, në një ceremoni të veçantë, ua dorëzoi dekretin e shtetësisë së Kosovës Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.
Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e çështjes së Kosovës, veçanërisht përmes lobimit në Shtetet e Bashkuara dhe sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Ata vizituan Kosovën, ngritën çështjen e saj në Kongresin amerikan, mbështetën udhëheqësit dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës, kërkuan ndërhyrje ndërkombëtare kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe, gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbështetën ndërhyrjen e NATO-s.
Pas luftës vazhduan të punonin për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe për pavarësinë e saj, duke dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës. Kontributi i tyre konsiderohet i rëndësishëm në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së saj.