Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Ia prenë barkun me foshnjën brenda”, Kurti për homazhe në përvjetorin e masakrës në familjen Deliu

Gazeta10
26 September 2023 - 18:27

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka shkuar për homazhe në fshatin Abri të Epërme, me rastin e 25-vjetorit të masakrës ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka ndarë pamje nga atje, teksa kujtoi edhe viktimat e masakrës.

“Malësor ose Malësore. Kështu do ta quante familja Deliu foshnjën që po rritej në barkun e nënës nëpër male. Por Luljeta Deliun e vranë para se të sillte në jetë foshnjën. Para se ta vrisnin, ia prenë barkun me foshnjën brenda. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal, për t’u shpëtuar sulmeve të forcave të Serbisë. Më 26 shtator 1998, këmbësoria e forcave të armatosura serbe hyri në Abri të Epërme dhe masakroi 23 anëtarë të familjes Deliu. Ata i qëlluan në kokë nga afërsia, ua gjymtuan kufomat e disa edhe i dogjën. Mes tyre edhe Luljetën shtatzëne. Atë ditë u masakrua edhe Mihanja, që më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Atë e vranë, në krah me të birin Valmirin, që kishte biberonin e varur në qafë. Më 21 shtator, Miri kishte mbushur dy vjetë”, shkroi Kurti.

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe.

Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.