
Trajneri Antonio Conte pritet së shpejti ta marrë drejtimin e skuadrës së Napolit, ka shkruar “Calciomercato” të martën. Mësohet se drejtuesit e Napolit tashmë kanë nisur kontaktet me Conten dhe marrëveshja mes palëve pritet të finalizohet brenda këtij muaji.
Te Napoli, Conte do ta zëvendësojë francezin Rudi Garcia, i cili pritet të shkarkohet për shkak të rezultateve të dobëta. Garcia mori drejtimin e Napolit para fillimit të këtij sezoni duke zëvendësuar Luciano Spallettin, por në klub nuk janë të kënaqur me rezultatet e tij.
Pas 8 ndeshjeve të luajtura në Serie A, Napoli ka regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Garcia ka kontratë me kampionin e Italisë deri në vitin 2025, ndërsa Conte është i papunë. Conte, së fundmi ishte në krye të Tottenhamit ndërsa ka udhëhequr edhe Interin, Chelsean e Juventusin. Ai ka qenë edhe selektor i Italisë.