Numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit në Izrael ka shkuar në mbi 1.200, ndërsa afro tre mijë të tjerë janë lënduar e rreth 150 të tjerë mendohet se janë marrë peng e janë dërguar në Gaza.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, numri i të vdekurve kishte arritur në një mijë të martën vonë, përderisa forcat e sigurisë dhe grupi i vullnetarëve “Zaka” punuan në komunitetet në jug të Izraelit për të mbledhur trupa.
Ushtria izraelite tha se numri i të vdekurve shkoi në 1.200 të mërkurën në mëngjes, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha më herët se 2.901 persona ishin lënduar nga sulmet dhe se 500 ende ishin në spitale, përfshirë 26 të lënduar në masë kritike e 340 të lënduar seriozisht.
Forcat izraelite ishin ende duke luftuar me militantët në jug të Izraelit të martën dhe u raportua për dy të vrarë në një fushë bujqësore afër komunitetit jugor, Kfar Maimon, dhe dy militantë të tjerë të vrarë afër pikëkalimit “Erez” të martën vonë, sipas mediave izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha të mërkurën në mëngjes se forcat izraelite kishin vrarë 18 “terroristë” palestinezë në territor izraelit gjatë 24 orëve të kaluara.
“Këta janë terroristët e njëjtë që nuk kishin ikur për t’u kthyer në Gaza. Ata janë në vende të fshehura, afër kufirit. Prandaj po ndodhin skanimet me numër të madh të trupave. Janë dhjetëra mijëra luftëtarë (izraelitë) në zonën përreth Gazës”- tha ai.