
Shqipëria po kalon në momentet më të mira të saj si kombëtare që nga viti 2016 nën urdhërat e Gianni de Biasi, kur siguronte kualifikimin në “EURO 2016”.
Kombëtarja kuqezi është afër edhe një suksesi tjetër historik, pasi është me një këmbë në kampionatin evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Fitoret e mëdha ndaj Polonisë e Çekisë, dhe ato ndaj Moldavisë e Ishujve Faroe i mundësojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga gjithë bota të shpresojnë në kualifikim.
“Kuqezinjëve” tashmë i duhet vetëm një pikë që të nxjerrin biletat për në Gjermani, mirëpo me një fitore eventuale prej dy ndeshjeve, do të sigurojë vendin e parë në grup.
Padyshim, ‘arkitekti’ kryesor i këtyre emocioneve që po na dhuron kombëtarja është trajneri brazilian, Sylvinho, i cili eksperiencën e tij si lojtar po e shpalos tashmë si trajner.
Mirëpo, fillet e kësaj “Shqipërie historike” nisin që nga 2 janari i këtij viti, atë ditë kur shqiptarët nuk besonin se do të gëzonin ditë si këto të fundit.
2 ditë pas fillimit të vitit 2023, Shqipëria arriti marrëveshje me ish-futbollistin e Barcelonës, Arsenalit e Manchester City, Sylvinho.

Braziliani me vete në stafin udhëheqës të kombëtares morri edhe Dorivan, si dhe argjentinasin Pablo Zabaleta, të cilët janë ndihmësit e trajnerit të “kuqezinjëve”.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Sylvinho u pajtuan për një kontratë 18-mujore (deri në përfundim të “EURO 2024”).
Sylvinho, i cili ka një CV të pasur si lojtar dhe trajner, ka një eksperiencë të pasur si zëvendës trajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas.
Gjithçka niste në 2011 kur merr pozicionin e zëvendës trajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendës trajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olympique Lyonit në Francë dhe më pas Corinthias në kampionatin brazilian.
Trajneri brazilian nuk kishte mundësi të luante ndeshje miqësore me Shqipërinë, kështu që debutimin e bëri në ndeshje zyrtare, pikërisht ndaj kundërshtarit për pozitën që të dërgon në evropian.
Më 27 mars të këtij viti, Sylvinho me ‘ushtarët’ e tij udhëtuan për në Varshavë, aty ku u sfiduan nga kombëtarja e Polonisë.
Aty edhe filloi cikli i ri kualifikues për kampionatin evropian, me Shqipërinë që pësoi disfatë prej 1-0, me golin e shënuar nga Swiderski pak para përfundimit të pjesës së parë.

Humbja ishte e pritur, pasi Polonia ishte një ‘mace e zezë’ për kombëtaren shqiptare. Mirëpo, se çfarë do të vinte më pas, asnjë shqiptar as në ëndrrat më të mira nuk do ta kishte pritur.
Kjo edhe ishte ndeshja e vetme për atë muaj, me Shqipërinë që ndeshjen tjetër do ta zhvillonte në muajin qershor, i cili doli një muaj perfekt për kombëtaren.
Fillimisht më 17 qershor, Shqipëria priste në “Air Albania” Moldavinë, për ta mposhtur me rezultat 2-0 me golat e Asanit dhe Bajramit.

Tri ditë më vonë, Shqipëria arriti fitoren tjetër ndaj kombëtares së Ishujve Faroe. Bajrami, Asllani dhe Muçi i dhuruan “kuqezinjëve” fitoren e dytë radhazi dhe të dytën në grup me rezultat 3-1.

Të besuarit e Sylvinho u grumbulluan edhe një herë tjetër, kësaj radhe në shtator për dy sfida mjaft të vështira, madje jetike për fatin e kombëtares shqiptare.
Më 7 shtator, Shqipëria luante në “Fortuna Arena” të Pragës me Republikën Çeke, me ndeshjen që u mbyll në ‘paqe’. Cerny i dhuroi epërsinë Çekisë në minutën e 56-të, mirëpo dhjetë minuta më vonë goditja mjeshtërore e Nedim Bajramit vendosi gjithçka në baraspeshë.

10 shtatori ishte njëra nga ditët më të mira të Shqipërisë në këto 7 vitet e fundit. Në “Air Albania” udhëtonte kombëtarja polake, e njohur për shqiptarët si ajo kombëtare që i shkakton probleme “kuqezinjëve”.
Asani me një goditje të fuqishme jashtë zonës mposhti portierin polak, Wojciech Szczesny, për rezultatin 1-0 gjatë pjesës së parë.
Për 2-0 u përkujdes i sapo ardhuri në atë kohë te Shqipëria, Mirlind Daku. Sulmuesi nga Kosova paraqitej vetëm në ndeshjen e dytë me Shqipërinë, duke shënuar një nga golat më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.

Kështu edhe muaji shtator kishte një ndikim pozitiv në zhvillim e ëndrrës evropiane për Shqipërinë, me tetorin që po vinte, i cili po ashtu kishte rëndësi të madhe.
12 tetori solli ndeshjen e Shqipërisë ndaj kombëtares çeke që u zhvillua në Tiranë, në ‘ferrin’ e kombëtareve tjera.
Ishte Jasir Asani që përsëri doli në skenë, me po të njejtin epilog. Një goditje e fuqishme jashtë zonës i dhuroi Shqipërisë epërsinë në ndeshjen jetike.
Ndeshje të madhe pati edhe Taulant Seferi, i cili në atë ndeshje arriti të shënojë dy gola, duke konfirmuar formën fantastike të Shqipërisë, si dhe duke i siguruar 3 pikë të mëdha kombëtares kuqezi.

Kështu, Shqipëria kryeson tabelën e grupit E me 13 pikë, katër më shumë se ndjekësia më e afërt, Polonia. Në vendin e tretë pozicionohet Çekia me 8 pikë.
Dy lojtarët më të mirë në kuadër të statistikave janë Jasir Asani dhe Nedim Bajrami.
Shkupjani Asani ka 3 gola e dy asistime në këto kualifikime, ndërsa Bajrami ka në emrin e tij po ashtu tre gola e një asistim.
Kombëtarja shqiptare këtë muaj luan një ndeshje miqësore me Bullgarinë, mirëpo ato kualifikuese i luan në muajin nëntor.
Më 17 nëntor, Shqipëria udhëton për në Moldavi, gjersa më 20 nëntor pret në “Air Albania” Ishujt Faroe, me Shqipërinë që synon konfirmimin e një vendi në “Gjermani 2024”.