
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, asamblistit të kësaj partie në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi si dhe ndaj dy personave të tjerë.
Aktakuza ndaj Manxhukës dhe Azemit është ngritur nën dyshimet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, rast ky që lidhet me deklaratat e tyre për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq, që dyshohej për terrorizëm.
Sipas Prokurorisë, Manxhuka dhe Azemi “duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh. dhe gjyqtarit M.B., lidhur me vendimin ndaj Pantiqit.
“Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B..”, thuhet në njoftim.