Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bochsler thotë se Qeveria e Serbisë po luan me kartën e Kosovës në zgjedhje

Gazeta10
18 November 2023 - 15:05

Partia Progresive Serbe në pushtet po mundohet ta ndryshojë diskursin rreth të cilit bazohen zgjedhjet dhe loja me kartën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë Daniel Bochsler, profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Zgjedhjet e dhjetorit, të cilat janë shpallur për Kuvendin e Serbisë, janë legjitime, edhe pse janë të jashtëzakonshme, tha ai.

Megjithatë, ai vlerëson se Serbia është larguar nga demokracia.

Ai beson se Serbia, aktualisht, ka një sistem autoritar konkurrues, që “do të thotë kur kemi disa elementë të shoqërive autoritare, por ka ende konkurrencë elektorale”.

“Nëse më pyesni se me kë mund ta krahasoj Serbinë, mendoj se Serbia është e vendosur jo vetëm gjeografikisht, por edhe në aspektin demokratik mes Turqisë dhe Hungarisë”, tha Bochsler.

Ai nuk sheh se në Serbi ka një tendencë të fortë për të forcuar të djathtën, si në disa vende evropiane.

“Ka pasur gjithmonë një numër shumë të madh votuesish në Serbi me një orientim nacionalist të djathtë, vetëm aktorët që e mbështesin atë po ndryshojnë”, vëren Bochsler, i cili është gjithashtu profesor i asocuar për studimet e nacionalizmit dhe shkencave politike në Universiteti i Evropës Qendrore në Vjenë (CEU).

Ai vlerëson, gjithashtu, se në Ballkanin Perëndimor ekziston një fenomen që njerëzit nuk u besojnë partive, dhe se personalitetet janë shumë më të rëndësishme në politikë sesa partitë.

Ai është pyetur se çfarë sheh si çështje kyçe rreth së cilës do të zhvillohet lufta për votues, a do të jenë çështjet kombëtare, si Kosova, apo ato ekonomike?

“Ne protestojmë kundër dhunës për gati gjysmë viti. Opozita po përpiqet të tregojë se këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me ideologji politike, nuk kanë të bëjnë me Kosovën, nuk kanë të bëjnë me disa përçarje të tjera në shoqëri, por se qëllimi është të heqin qafe partinë që ka qenë në pushtet prej kohësh – kohë, që po abuzon me atë pushtet dhe për të nisur sërish rrugën e demokracisë, lirinë e medias, pluralizmin.

Partia Progresive Serbe po përpiqet të ndryshojë diskursin rreth të cilit zhvillohen zgjedhjet. Është duke luajtur me kartën e Kosovës, jo vetëm me ngjarjet e ndryshme të muajve të fundit, por pjesërisht sepse është një çështje për të cilën opozita pro-evropiane nuk mund të pajtohet.

Dhe, sapo Kosova është në plan të parë, fillojnë konfliktet brenda koalicionit pro-evropian. Për më tepër, progresistët po bëjnë atë që bënë në zgjedhjet e mëparshme, me pensione, pagesa direkte në para të gatshme për grupe të ndryshme të popullsisë, duke u përpjekur t’i lidhin votuesit me ta në mënyrë klienteliste”, ka thënë Bochsler.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.