
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.
Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin e Sllovenisë para dhe pas luftës në Kosovë. Si dhe ritheksoi se Sllovenia është partneri i çmuar pasi ndajnë të njëjtat vlera dhe pikëpamje për paqen dhe sigurinë.
Në njoftimin për medie, bëhet e ditur se në takim është diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, rëndësinë e Procesit të Berlinit, si dhe rreth ecurisë së bisedimeve në Bruksel dhe hapave të ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“U theksua përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO. Kryeministri Kurti potencoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në operacionet dhe projektet e NATO-s. Ai veçoi anëtarësimin në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si një hap shumë të rëndësishëm, për çfarë Presidenti Pahor konfirmoi mbështetjen e Sllovenisë.”, thuhet në njoftim./Gazeta10