
Avokatët e krerëve të UÇK-së në Hagë janë bërë bashkë rreth një ankese.
Ata kanë bërë ankesë lidhur me një provë materiale e cila është pranuar nga trupi gjykues, e që ndërlidhet me ditarin që pretendohet të ketë qenë i një ushtari të UÇK-së.
Megjithatë, origjinali i këtij ditari ishte në Serbi, dhe sipas mbrojtjes, ka dyshime se ka qenë në posedim të Shërbimit Sekret të Serbisë.
Në një shkresë të perbashket të ekipeve mbrojtëse jepen arsyet pse ky ditar nuk duhej pranuar.
“Pjesët më inkriminuese të kësaj fletoreje mbi të cilat kërkon të mbështetet Prokuroria janë shkruar me një dorëshkrim krejtësisht të ndryshëm dhe përdorin fjalor që nuk përshtatet me pjesën tjetër të fletores. Zinxhiri i ruajtjes së dokumentit është komprometuar rëndë me boshllëqe domethënëse gjatë të cilave nuk dihet se ku, nga kush dhe në cilat kushte është mbajtur dokumenti”, thuhet në ankesë.
Sipas mbrojtjes, ky dokument është vetëm kopje dhe se origjinali nuk gjendet askund në Hagë apo Kosovë, ajo gjendet në Serbi.
Mbrojtja thotë se kërkoi një mundësi për të inspektuar fletoren origjinale më 19 tetor 2023 dhe u informua se Prokuroria nuk kishte fletoren origjinale.
Ekipi i avokatëve ka përshkruar edhe rrugëtimin e këtij ditari që nga lufta dhe pse dyshon fort në vërtetësinë e tij, aq më tepër kur në këtë rast janë të përfshirë dy zyrtarë të Sherbimit Sekret Serb.
“…Ajo që dihet është se dokumenti supozohet se ishte sekuestruar nga forcat ushtarake serbe gjatë një ofensive të madhe rreth fshatit Lez në shtator 1998. Duket se Milan Petroviq më pas përpiloi fotokopje të kësaj fletoreje në një dosje, e cila me sa duket iu dorëzua (REDAKTUAR). Nuk duket se fletorja origjinale është përfshirë ndonjëherë në këtë dosje. Për më tepër, Mbrojtja supozon se ditari – ose një version i tij – ishte një nga “dhjetëra mijëra” dokumentet që Zoran Mijatoviqi ia dha (REDAKTUAR). Kjo përfshin dy versione. Një version i tretë gjendet në procesverbalin e çështjes Gjorgjeviq. Përveç kësaj, Petroviqi dhe Mijatoviqi ishin disi të përfshirë me këtë dokument ose versionet e tij. Zinxhiri i ruajtjës gjatë viteve ndërmjet sekuestrimit dhe transferimit në (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR) në thelb mbetet i panjohur. Nuk jepet asnjë informacion shtesë se cilët zyrtarë të tjerë shtetërorë mund ta kenë trajtuar. Nuk ka ndonjë tregues se ku mund të jetë mbajtur. Për më tepër, nuk dihet se në cilin subjekt të kujdestarisë ndodhen aktualisht origjinalet – nëse ato ekzistojnë ende. Prandaj, ekzistojnë shqetësime të bazuara në lidhje me origjinalitetin e artikullit”, ka konstatuar mbrojtja”, thotë mbrojtja./Nacionale/