
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar edhe tri përballjet e radhës në kuadër të 1/16 së finales në Kupën e Kosovës.
Prishtina e Re dhe Suhareka triumfuan si vendas, gjersa Ulpiana pësoi në shtëpinë e saj nga Vjosa e Shtimes.
Skuadra e Elon Berishës, Prishtina e Re mposhti skuadrën e Ligës së Dytë, Beharin me rezultat bindës 7-1.
Edhe Suhareka shënoi fitore të rëndësishme por jo të lehtë ndaj Trepçës së Mitrovicës.
Suharekasit triumfuan në shtëpi me rezultat 2-0, kështu duke siguruar kualifikimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Ndërkohë, Ulpiana si vendase nuk arriti të triumfojë ndaj skuadrës tjetër nga Liga e Parë, Vjosës.
Të besuarit e Emin Bajramit pësuan disfatë prej 2-1 nga skuadra e drejtuar nga Leutrim Krasniqi.
Fituesit e këtyre tri përballjeve janë kualifikuar për fazën e ardhshme të eleminimit direkt në Kupën e Kosovës.
Përballja e fundit e kësaj faze luhet nesër mes Dinamo Ferizajt e Vushtrrisë, ndeshje që nis nga ora 12:00.