
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur gjatë të premtes në takim të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët e kancelarit gjerman, Scholz dhe president francez Macron. Lajçak ka thënë se diskutimi me kryeministrin Kurti ishte i thellë dhe kishte për qëllim çuarjen përpara të dialogut. Nga qeveria janë mjaftuar me një komunikatë, ku kanë thënë se Kurti ka ritheksuar se dialogut duhet të përfundoj me njohje reciproke, raporton Kanal10.
Raporti:ViolaKorça
I dërguari Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak brenda dy javësh, ka vizituar për të dytën herë Kosovën.
Këtë herë ndërmjetësuesi i dialogut ishte shoqëruar edhe nga dy këshilltarët gjerman dhe francez, Jenns Plottner dhe Emmanuel Bonne.
Takimi i tyre me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zgjati për më shumë se dy orë.
Pas takimit, Lajçak nuk ka dhënë shumë detaje, derisa ka shtuar se diskutimi ishte i thellë dhe i rëndësishëm për ta çuar përpara dialogun.
Ndërkaq, të dy këshilltarët, i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit frances Emmanuel Macron nuk kanë pranuar të flasin për media.
Në njoftimin për media, Qeveria e Kosovës ka thënë se kryeministri Kurti ka ritheksuar se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e marrëveshjes për njohje reciproke.
U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga I cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor .
Njohës të çështjeve politike thonë se vizita e tre emisarëve është trysni që Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje, por që nuk presin rezultate pozitive.
Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe këshilltari i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, kanë udhëtuar për në Beograd ku do të takojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Gazeta10