
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, në nisje të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Pas njoftimit të presidencës turke lidhur me këtë takim, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë bërë të ditur se Kurti dhe Erdogan kanë diskutuar edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në takimin e zhvilluar në New York, Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
“Në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, thuhet në njoftim.
Kurti, së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ngritën para Erdogan çështjen e trajtimit të shqiptarëve nga Serbia.
Në njoftimin e Kryeministrisë përmenden pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Kurti ka theksuar se simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet përkatëse është e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe të barabartë.
Në përfundim, Kurti e ftoi presidentin Erdogan për një vizitë në Kosovë.
