Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

23-vjeçari nga Vushtrria dyshohet për vrasjen e 15-vjeçarit në Gjermani, me bashkëpunëtorin dorëzohen në polici

Gazeta10
23 September 2026 - 8:06

23-vjeçari nga Vushtrria, Albin Bejtullahu, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e një 15-vjeçari në Marsberg të Gjermanisë, është dorëzuar në polici së bashku me bashkëpunëtorin e tij, pas shpalljes në kërkim nga autoritetet gjermane.

Policia e Dortmundit njoftoi të martën në mbrëmje se dy të dyshuarit, 22 dhe 23 vjeç, janë paraqitur vetë te autoritetet. Ndaj tyre më herët ishin lëshuar urdhër-arreste për dyshimin për vrasje të qëllimshme (Totschlag) dhe lëndim të rëndë trupor.

Sipas autoriteteve gjermane, ata dyshohet se të shtunën, më 19 shtator, janë përfshirë në një përleshje në lagjen Essentho të Marsbergut, në afërsi të një feste private ditëlindjeje. Gjatë konfliktit, një 15-vjeçar nga Dortmundi u godit me thikë dhe vdiq në vendngjarje. Një tjetër i ri, 18 vjeç, u plagos rëndë dhe përfundoi në spital.

Fillimisht dy të dyshuarit ishin shpallur në kërkim publik me fotografi. Policia kishte përdorur edhe një helikopter gjatë kërkimeve në zonën e Marsbergut. Autoritetet kishin deklaruar se, pavarësisht arratisjes së tyre, nuk vlerësohej se ekzistonte rrezik për popullatën.

Të dyshuarit janë nga Hamm. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane, njëri është shtetas grek, ndërsa tjetri shtetas i Kosovës. Ata janë identifikuar si Alex Olntasi, 22 vjeç, dhe Albin Bejtallahu, 23 vjeç.

Pas dorëzimit, kërkimi publik është tërhequr. Të mërkurën, më 23 shtator, të dy pritet të dalin para gjyqtarit të paraburgimit, ku do të vendoset për masën e mëtejshme ndaj tyre.

Hetimet për rrethanat dhe motivin e përleshjes vazhdojnë. Prokuroria ende nuk ka bërë të ditur hollësi të plota se si nisi konflikti dhe çfarë e çoi atë në përdorimin e dhunës. Autoritetet po hetojnë gjithashtu rolin konkret të secilit prej dy të dyshuarve.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.