
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur sonte nata e shtatë e protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Para protestuesve ka mbajtur fjalim Çlirim Haziri, organizator i protestës, i cili tha se qytetarët janë mbledhur në shesh për shtatë net me radhë, duke theksuar se protesta nuk është ndalur pavarësisht kushteve atmosferike.
“Sonte u bë një javë! Shtatë ditë. Shtatë net. Çdo natë, në të njëjtën orë. Çdo natë, në të njëjtin shesh. Çdo natë, bashkë për UÇK-në!”, tha Haziri.
Duke iu referuar 28-vjetorit të rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, organizatori i protestës tha se shtatë net qëndrimi në shesh janë pak krahasuar me sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Haziri theksoi se protesta, sipas tij, nuk është organizuar për një parti politike, por për një kauzë që protestuesit e lidhin me mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
Një nga mesazhet kryesore të fjalimit ishte thirrja “Jo në emrin tim!”, të cilën Haziri e përsëriti disa herë nga sheshi “Skënderbeu”.
Ai foli edhe për kërkesat drejtuar institucioneve të Kosovës, duke përmendur projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të cilin tha se është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Haziri paralajmëroi se protesta do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen tubimeve.
“Shtatë ditë nuk janë fundi! Shtatë ditë janë vetëm fillimi!”, tha ai.
Fjalimin e tij, Çlirim Haziri e përmbylli me thirrjet: “Jo në emrin tim!”, “Kosova nuk harron!”, “Lavdi dëshmorëve të kombit!” dhe “Bashkë për UÇK-në!”