
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklarimeve të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Çitaku ka kritikuar përdorimin e shprehjes “asimetri dënimesh”, duke thënë se kjo qasje, sipas saj, e largon vëmendjen nga ajo që ajo e konsideron si thelbin e aktgjykimit.
“Amani ju koftë, mos flisni për ‘asimetri dënimesh’, siç paska folur Kryetari i LVV-së”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka shtuar se një qasje e tillë, sipas saj, mund të nënkuptojë se dënimet duhet të ishin më të ulëta, duke iu referuar katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Sepse kjo i bie me thënë: dënojini, por jo bash kaq shumë, sepse këta katër burra nuk kanë bërë masakra e dhunë sistematike”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka theksuar se, sipas saj, çështja nuk qëndron te kohëzgjatja e dënimeve, por te përmbajtja dhe mënyra se si është trajtuar lufta e UÇK-së në aktgjykim.
“A po e kuptoni thelbin e këtij dënimi? Këtu nuk bëhet fjalë nëse i morën 25 vjet, më pak apo më shumë”, ka deklaruar ajo.
Sipas deputetes së PDK-së, thelbi i aktgjykimit është më i rëndë.
“Problemi është çfarë po dënohet. Lufta çlirimtare është kriminalizuar”, ka përfunduar Çitaku./Gazeta10