
Analisti politik Basri Muja, në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ka komentuar arrestimin e drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke e cilësuar këtë zhvillim si një rast të pazakontë dhe të paprecedent.
“ Mbi të gjitha, arrestimi i saj është atipik, absolutisht është rast i paprecedent”, tha Muja.
Sipas tij, nuk beson se kryeministri shqiptar Edi Rama do të kishte nevojë ta largonte Hysenin në këtë mënyrë, pasi, siç u shpreh ai, Rama kishte mundësi ta shkarkonte përmes dekretit apo ta shtynte atë të jepte dorëheqje.
“Rama e ka pasë një dekret, një vendim të tij, e shkarkon, e shtin me dhanë dorëheqje”, u shpreh Muja.
Duke folur për përmasat e zhvillimit, analisti e cilësoi situatën si një skandal dhe ngriti pyetjen se ku mund të çojë zinxhiri i përgjegjësive.
“Është kogja njëfarë skandali. Pas rënies së saj, nuk e di kush duhet me ra për me ardhë tash piramida te Rama”, tha Muja në “Politiko”.
Vlora Hyseni është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra e drejtoreshës së SHISH-it. Sipas raportimeve, ndaj saj rëndojnë dyshime për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror”, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen e AKSHI-t./Gazeta10