
Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gazetarja e Kanal10, Blerina Mustafa, ka raportuar drejtpërdrejt nga vendi i protestës, duke theksuar se reshjet nuk i kanë ndalur qytetarët që të dalin në shesh.
Sipas saj, kjo është nata e shtatë e protestave, ndërsa në shesh janë parë qytetarë me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe UÇK-së.
“Edhe pse sonte është duke rënë shi këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, qytetarët e Prishtinës nuk u ndalën as sonte që të vijnë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së”, raportoi Mustafa.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se, sipas organizatorëve, gjatë mbrëmjes do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të protestës.
Pjesë e programit të paralajmëruar është edhe performanca e tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj.
Protestat po zhvillohen në vazhdën e reagimeve publike ndaj zhvillimeve dhe vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë që lidhen me ish-krerët e UÇK-së.