Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti në takim me Plenkoviqin: Aktgjykimi është i pasaktë dhe i rëndë, dihet kush kreu krime gjatë regjimit të Millosheviqit

Gazeta10
22 September 2026 - 20:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, tregtisë, sigurisë dhe mbrojtjes.

Kurti ka bërë të ditur se, krahas bashkëpunimit të mirë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova synon të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kroacinë.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet ekonomike në Kosovë, duke theksuar se gjatë tremujorit të parë të këtij viti është shënuar rritje ekonomike prej 5.4%, ndërsa në tremujorin e dytë prej 4.1%.

Sipas Kurtit, ekonomia e Kosovës pritet që këtë vit të tejkalojë vlerën prej 12 miliardë eurosh, krahasuar me 7 miliardë euro në vitin e parë të qeverisjes së tij.

Gjatë takimit, Kurti ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilin e ka cilësuar si të pasaktë dhe të padrejtë.

Ai ka theksuar se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare kundër regjimit të Millosheviqit, duke shtuar se dihet se kush ka kryer krime gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke kërkuar hapjen e arkivave të Serbisë.

Sipas tij, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe të klasifikuara arkivat e saj, ndërsa ka përmendur edhe pasivizimin e adresave dhe përjashtimin nga institucionet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në fund, Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin ushtarak dhe atë në fushën e mbrojtjes me Kroacinë.

Ai ka falënderuar këtë shtet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe për përkrahjen në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon.

Kurti ka theksuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.